GRYKA E PUSIT- roman - ARBEN SHEHI


Arben Shehi
Fragment nga romani:"Gryka e pusit",Botimet Toena2011,

Ne qetësinë e dhomës së madhe e pothuaj të ftohtë, Argenti ishte krejt i pa fjalë para shtratit të Skënderit. Sa herë që hynte Lali, heshtja prishej nga fiullima e menteshës se derës, më keq se fytyra e shprishur e saj. Përjashta murlani frynte më të gjithë bulçijtë, si një plak i dalë mendsh.
Nuk i kujtohej se sa orë kishte ashtu, në këmbë i ngrirë para siluetit thuajse pajetë të të atit. Ndofta dy, ndofta më shumë. Në atë vëzhgim të paluajtshëm dhe hetues mbi fytyrën e zbehtë, si prej qiriri të Skënderit.Por edhe mbi gjithçka të tijën: ballin e rrudhur, sytë gjysëm të mbyllur, duart e palëvizura nga ku po merrte serumin e rradhës.Lali i kishte shpjeguar shpejt e shpejt çfarë kishte ndodhur, kur dhe si. Ah,..! ai e mori veten në qafë, psheritima e saj ishte e gjërë dhe pa asnjë mundësi per ngushëllim.
Por ai e kishte dëgjuar vetëm me kujdesin për të mos e vrarë më tepër atë grua.Përkushtimi i saj ishte sublim. Ai, nuk kishte njohur kurrë një tjetër me atë sens të jashtëzakonshëm të familjes.Pa e kuptuar sepse përfytyroi ditën kur ajo kishte mbetur shtatzënë me vete atë.Ditët dhe muajt me peshën e tij.Trupin e rënduar nga stërmundimi, hirin nga jeta e dytë që mbarte me vete, në një udhëtim të shkurtër, fillimisht të fshehtë e të panjohur, më pas një jete tjetër midis dhimbjes, lumturisë dhe përpjekjeve. Si është e mundur vallë që pas atij shndërrimi, atij shëmtimi të përkohshem që burrat u sjellin atyre, të fshihet një mrekullim dhe një një forcë e atillë?E kishte adhuruar përkushtimin e së ëmës, mënyrën se si, dhe atë çfarë ajo quante familje. Shprehur thjesht, e në mënyrën e saj krejtësisht të vecantë dhe të patjetërsueshme: dhimbjen dhe gëzimin.Në fund të fundit, gjithë filozofia njerëzore dukej, ose të paktën a nuk përshkohej nga ato dy fjalë? A nuk kishte qenë gjithë jeta e saj një shndërrim i vazhdueshëm nga njera tek tjetra, jetuar thjeshtësisht, por me gjithë fuqinë per të mos iu dorëzuar së parës dhe pa i besuar kurrë vazhdimit pa mbarim të së dytës ?
Vështrimi i tij mbeti befas mbi të dy duart e fashuara, afër kyçit të tyre, pikërisht aty ku i jati kishte menduar se fillonte rruga e lehtë e përtej reales.Në mënyrën më instinktive truri i tij ia riktheu asosacionin e mbetur të freskët në kujtesë.Ajo shenjë e çuditshme me dorë e Skenderit, kohë më parë, shi aty në shtëpinë e tyre, me saktë përpara atij variantit më të fundit të Surratit te fundit, në kavaletin e shurdhët.Do të deshte sa gjithë jeta e kaluar sëbashku ta pyeste të atin, ose të paktën të kuptonte atë shenjë të çuditshme, me të cilën dukej se lidhej e gjithë kjo jetë e tij si në një lëngim të gjatë etheje shumëvjecare.Të gjitha hamendjet dhe pyetjet në lidhje me to, rrëzoheshin sakaq me një pafajësi foshnjarake.Është shumë më e gjërë, mendoi .Iu duk se do të bente krim nëse do të kërkonte një shpjegim sado fragmentar, nga një rreze drite që iu duk se u çfaq në sytë e të jatit , deri atëhere të mbyllur pa shpresë.Vala e stërmadhe e lëngështimit tanimë ishte brenda tij.E madhe, e rëndë, e papërballueshme.
Pati përshtypjen se padashur nuk po bënte tjetër gjë veçse po rindërtonte në kujtesën e tij jetën e të atit, mekanizmin me të cilen ai kishte levizur gurët e rëndë në golgotën e tij antikomuniste: talentin e tij.
-Ah, ..!psheretiu thellë , megjithëatë, atë e po e mbyt vetvetja ! Me një ndriçim vetëtime, Argenti realizoi jo pa një dridhje të lehtë, mënyrën e magjishme që i jati kishte gjetur për të mbijetur, por mbi të gjitha për tu hakmarrë ndaj “shokëve të dyerve të mbyllura”.I kishte kthyer të gjithë në surretër.Dhe jo vetëm kaq, por i kishte bërë gazin e gjithë qytetit , për t’i djegur çdo vit në mes të Piacës së Madhe.Mënyra e tij kish qenë brilante.Ato surretër, për të cilën ato, komision pas komisioni jepnin leje për tu djegur, s’ishin gjë tjetër veçse ato vetë.Skenderi i ndryshonte aq sa ato të mos dyshonin për pamjen e tyre.Megjithëatë butaforia e surretëve-krijesa të Skënderit ishte shumë me tepër dinjitoze se modeli i tyre i vërtetë.
Një jetë kështu, vazhdoi Argenti, i pazoti për t’u ndarë nga kjo valë përsiatjesh.Një jetë midis surretëve të gjallë e të rrezikshëm dhe atyre të vertetëve, krijesave jetëshkurtra si zjarri i tyre prej letre, pa të cilat jeta e të atit, por edhe e gjithë familjes, do kishte qenë zvarritëse.Dhe mbase pikërisht atë çast, tha me vete, kur e ka pasur të pamundur, pra kur është lodhur me këtë dyzim fatal, ai ka bërë atë shenjën e famshëm me dorë: po iki…!
Argenti pati ndjesinë se tani po lëngonte sëbashku me të atin, njëlloj dhe pa asnjë dyzim se ndryshonte shumëçka mes tyre, përvec faktit se tashmë i ati po shkonte diku.Ktheu vështrimin e qetësuar tashmë, pikërisht andej, nga fytyra e tij.
Përmes atij mjegullimin të tij të brendshëm që vinte prej së thelli dhe që e lëngështonte nga momenti në moment, vuri rè se si u përvijëzua nga ajo dritë e dobët mes qerpikëve, një pikë e vogël loti në syrin e djathtë të të atit. Ajo, qëndroi ashtu për disa çaste, pa shtysën e nevoshme për të rrëshqitur ngadalë mbi shtegun e e faqeve të dobta dhe të zbehta . Sa të vështirë e paska burri të mbetet i fortë, mendoi , ndofta shumë më tepër se sa të mbetet njeri.
Bëri një përpjekje të stërmundimshme për t’i përmbajtur të gjithë lotët që kishte brenda vetes, në sy, në gjoks e gjithkund Përpjekje që me sa dukej ishte jashtë mundësive tij që të zgjaste edhe shumë kohë.

& &

No comments:

Post a Comment