KOHE PER ASKUND - Poezi - ARBEN SHEHI


Poezi nga Arben Shehi

ËSHTË NJË SHI


Është një shi që bie me zhurmë.

Përjashta tringëllin ajri i pasdites
Mbi çatitë flurore të mjegullës.

Mund të borëtojë.Po unë
Kam mall për ty.
Nuk e di pse ndjehem vetëm
Duke akorduar violinat e shiut
Si një bard i heshtur dhe i vetmuar...

A i mban mend fund javat e ngrysura
Me frymën time
Dhe tënden në një gojë të vetme??

Pastaj
e djela e fundit me ty.
Dhe një shi përjashta
Që binte me dhimbje për të dy ne
Dhe për ngrohtësinë e dikurshme të frymës sonë.

1983



KJO VJESHTË


Erdhi më shpejt kjo vjeshtë,
Mbarsur rëndëshëm me re
Si mushka që tërheqin karvanet e shiut
drejt qyteteve të zbrazura të Veriut.

Më ka gezuar gjithnjë ardhja e shiut
Dhe ylberet tërë ngjyra që duken-zhduken befasisht
Si lodra të fëmijërise që më iku.

Tringëllijnë qelqet e dritareve
Aq sa kam frikë se mos krisin
Nga pritja dhe malli për ty.
Ti vjen e padukshme që nga larg
Dhe shkruan me gisht emrin tim në xham,
E bukur dhe tërë dritë,
Njësoj si atëherë kur kisha frikë mos të të humbja.
...................................................................

Kur të shkrijë avulli në dritaret
Do të mbeten shenjat e flokëve të tu,
Dhe pikat e fundit të shiut mbi konturin e emrit tim...


Vjeshte 2005



HAPAT E SHIUT


Qiellin e çau pjerrtas kosorja e vetëtimës,
dhe sakaq u bë aq dritë
sa për të dalluar afrimin tënd...

A i dëgjon hapat e shiut
Që nguten të vijnë para teje
Në parkun që e mbuluan fletët
të zverdhura ndofta deri në dhimbje ?!?

Dikur ishim më të rinj...
-------------------------------------
Mijëra herë s’jam ngopur së pari
avullimin e kurmit tënd femëror.

Sa keq tani vitet ikën.
Megjithëse shiu s’ka pushuar së rëni
njëlloj e njëlloj mbi mua dhe mbi flokët e tu...

Është e pamundur të mos lagesh
nën këtë shi prej hëne...

2005

LUMTURIA

Kur ishim te rinj
Enderronim per shtepite e bukura
per femije te lumtur nen kubene e qiellit
dhe per dashurine e madhe…

Ah,tani eshte teper vone.
Me vjen keq qe bashke me veten te genjeva edhe ty.

Dritherohem nen kubene magjike te nates
tejpertej shpuar nga dritat e yjeve,
dhe them me vete se megjitheate lumturia
duhet te mbetet ne faqen e parafundme te abetares...


KUMT

Çeli sërisht ai karafili i bardhë tek oborri i shtepise së vjetër,
mbi vjershën e fundit që shkrova për këtë Qytet
dhe sakaq u bë ditë.

Kohrat po ikin me rrëmbim pa kthyer kokën prapa.

Mos u ndruaj për mua që u besoj gjithnjë PoEtëve !
...Sepse historinë kurrë nuk e bënë politikanët...

Shkoder, 2004


FILIP SHIROKËS

Gjithçka zbehet para shamisë tënde proverbiale...

Kam udhëtuar gjithkund në këtë botë
Mbi karvane avjonesh si mbi kurrize devesh të lodhura ,
Kur përshkojnë shkretëtirat që klithin me kujën e harresës.
Po askund nuk kam ndeshur kujën prej malli
që përhapte dora jote, drejt qiejsh të pashpresë
mbi largësinë tende.
............................................................

Kur ka zbardhur dita
Ti ke qenë gjithnjë në zgrib të shkretëtirës dhe shpresës,
duke tundur shaminë e njomur nga malli dhe nga dhimbja
për trëndafilët e qytetit që lindi nga liria e murosur,
e një Gruaje të tradhëtuar nga të vetët...

Kam udhëtuar gjithkund mbi këtë bote...

Përmbi Detin Mesdhe , Mars 2002


BARI I SHTEPISE SIME

Po derdhet prape qumeshti i bardhe henor,
mbi konturin e vetmuar te mbremjes.
Femije te vonuar ,
kthehen ne rrugen e shtepise tere heshtje.
Vendosin gazin e tyre si cirka yjesh permbi fijet e barit ,
duke lene porten te hapur si nje goje memece...

Pllaq -plluq levizin pllocat e rrugines gjithe dhimbje .
Nuk ka rene shi, po bari eshte rritur nderkohës,
i zbehte dhe i lodhur nga mungesa e hapava te mija.
...............................................................

Me ka rritur ky ajer. Kur frynte eger murlani
dhe shpesh me eshte dashur
te kerkoj hapat e pranveres qe s’di pse vonohej
lart , neper humbellat veriore.

Megjitheate,
jam ndier mbret ne keto shkalle, nen keto cati,
me cerdhe pellumbash qe i ndertonim vete ,
dhe i ruanim po vete.

Kurre s’kam grisur faqe librash,shtepi kukullash te motres sime
vizatime qiejsh me drite mengjezi dhe rruge pa kufij
qe i enderronim po kurre s’i pame.

Si mjegullime te bardha me petkun e enderrave
cfaqeshin Budi, Sheh Shamija , Mjeda, Dasho Shkreli...
Dukeshin dhe iknin flurore sakaq. Larg ne magjine e poezise
dhe te luftrave qe i kishin fituar , por dafinat s’u a dhane kurre,
vetem e vetem se qene prej ketij Qyteti ...

Eshte rritur nderkaq bari i shtepise sime.I gjate dhe memec.

Shkoder, Prill 2005


VETËMOTIV

Më kot mendon se do të gjesh prehje.
Ështe shumë e vogël kjo botë për endërrën tënde.
Breg me breg si lumi,
përplaset dallga e qiellit mbi një kreshtë vjeshte.
dhe shkon të mbytet në det.

Bie nje mjegull fillikate si gjethe nëntori.
Rrëzohen shirat,
ylberet, pasditet, në zgrib të dhimbjes tënde.
Po karafilë të kuq çelin e vyshken në buzeqeshje femijësh...

Përse më ke bërë kështu o zot ?
Mbushur me brengë, trishtim, shpresë...

Më kot mendon se do të gjesh prehje.
Eshtë shumë e vogël kjo ëndërr për botën tënde.

Sepse ti ke mbetur poet…

2002

E MEGJITHËATË…

Gjithnjë më ke thënë se kam pasur diçka prej detit.
aty ku zanafillin dallgët,vetëtimat, stuhia...
Isha mesuar me dashurinë tënde , si me lindjen e diellit
nga nje copëz blu prej qiellit të mëngjezit.

Ne muzg nxitoja të thërrisja shirat.

(Ka pasur aq shumë shira në ditët tona,
ëndërra me ylberë pas mjegullave ,
por megjithëatë dhe kohë të bukur pas tyre pati).
................................................................

Gjithnjë më ke thënë se kam diçka prej detit.
Përplasem breg me breg, po gjumi kurrë s’më zë.

E megjithëatë, e megjithëatë….


2002

SHKODRES SE MBRETERVE


Eh, ti mbreteresha ime…

Femijeria magjike e perrallave.
Socializmi tragjikomik
dhe zbehja e perhershme e fames tende.
Krimi i neteve me hene te trembur
ngujuar bashke me gjaksoret
qe s’ua lajne duart gjithe ujrat rreth e rrotull Teje.

Ç’u ke bere te gjitheve ?!?
Kunder teje perjetsisht,
sepse adhurove Bogdanin, Fishten , Oso Kuken …?!
Antimediokre, hokatare , gjakhupse, shpirtmadhe.
Kult, enderr, altar etern.

Eh,ti Mbreteresha ime!
E rilindur dhe e rivrare serisht me 2 Prill…

Prill 2005

PASURIA IME PAFAT

Qielli me pikellim trondites vjeshte.
Rinia e plakur rruges,
ne zgrib te perqeshjes se socializmit.

Drita bie prej thesit zhelan te muzgut
dhe gjithsesi me ben te ndjehem mbret.

Ku-ku, o Zot , per kuroren tende patriarkesh,
qe gjithfare horrash
po rreken ta prekin.

Shiu,
sepse, nuk iu nda kurre ketij qyteti.

2004


SHIU I KETIJ QYTETI

Shiu s’ju nda qe s’ju nda kurre ketij qyteti,
perndryshe une s’do te isha ketu.
Kam ftohte apo turp.
Turpi sot nuk qenka me nje virtut.

Po pse u kthyen zogjte nga rrugetimi i larget?!

Nen qiellin tere gropa te vjeshtes
shiu ben punen e vet si para katermije vjetesh
mbi kete qytet.

Mbush e mbush me shi,
Po kurre s’ju nda Rozafa ketij qyteti.

2005





"Gjysma e heshtjes"-Onufri 2001


NUK ESHTE KURRE VONE PER TE LULEZUAR

(...folme te te pergjigjem...)

Po afrohet vjeshta.
Ti je larg, në vendin ku ka shume borë
dhe temperatura te ulëta.
Po prapëeseprapë bora shkrin dhe
gjethi e çan cipën e sythit.

Të kesh një syth, ta shohësh se si fryhet
dhe çahet patjetër
është një mrekulli që s’thuhet,
edhe pse stinët nuk mund të mos ikin,
për të hapur vendin për të tjerat,
të tjerat...

Kurrë nuk është vonë në jetë
për të lulëzuar
edhe pse dita asnjëherë nuk i ngjan tjetrës,
drita-muzgut,rrezja-hijes,
njeriu pa dashuri-
njeriut që si pushon zemra
së rrahuri prej saj.

Dashuria është zbulimi më i madh
i njeriut,
që s’di të ngopet me të.Kur e takon së pari
ka frikë se do ta humbë.S’di si të sillet
humbet drejtpeshimin
dhe s’arrin kurrë ta kuptojë
se gjithçka është sepse ai do që të jetë i lumtur...

Nuk eshtë kurrë vonë në jetë
për të lulëzuar...

Tiranë,Gusht 2001

GJYSMA E HESHTJES

Pulebardhat ngrihen njelloj
mbi shkumen e Detit .
Nje vele e vockel rebele shfaqet
dhe humbet sakaq.
Dallga ndjek dallgen
deri ne breg,
kthehet
dhe ndjekja nuk ka fund.

Gjithcka eshte ne gjysem heshtje,
ne gjysem qetesi, ne gjysem te vertete.
Deti s’mund ta kuptoje
Se gjysma tjeter e heshtjes,
eshte shkretia e brigjeve te mia,
ikja masive prej tyre,
arratia , kurveria,
vetmia...
Gjysma e heshtjes,
eshte dhimbja uluritese,
per gjysmen tjeter te saj...

Deti Ligur, Genova 2001

No comments:

Post a Comment